Site icon Telegrafi

Gjiko thyen heshtjen për akuzat e rënda me të cilat po përballet, paditë dy mediume për shpifje

Foto: Gjiko/Instagram

Reperi i njohur shqiptar, Gjiko, ka tash e sa ditë që po përballet me një akuzë të rëndë.

Në disa media ka qarkulluar lajmi se ai pritej të dilte para gjykatës të premten e kaluar, nën një akuzë për dhunim të një vajze të mitur – rast i cili pretendohet (sipas paditëses) të ketë ndodhur në vitin 2015.

Megjithatë, reperi nga Peja, emri i vërtetë i të cilit është Asdren Gjikolli, ka bërë një sqarim publik të hënën për fansat e tij përmes një shkrimi të publikuar në InstaStory.

Foto: Gjiko/Instagram

Ai ka mohuar me forcë akuzat, duke i quajtur të rreme, gjersa ka bërë të ditur se edhe ai ka angazhuar një zyrë ligjore që të merret me çështjen e kësaj akuze, të cilën ai e quan shpifje dhe mashtrim.

“Të nderuar familjarë dhe miq, gjatë këtyre ditëve, unë dhe familja ime jemi përballur me një të pa-vërtetë të sajuar. Unë nuk kam dhunuar askënd, e lëre më një vajzë 15-vjeçare. Nuk kam mashtruar e as nuk kam premtuar karrierë, e as nuk i kam dhënë një të miture substanca narkotike. Familja ime është shumë në rregull sepse e dinë që kjo gjë është e sajuar. Unë sot, përmes shoqërisë së avokatisë ‘Kërveshi & Partners Law Firm’ kam përgatitur dy paditë e para. Unë besoj se drejtësia do ta nxjerrë në pah pastërtinë time. Në fund, dua t’ju falënderoj të gjithë ata familjarë dhe miq që kanë gjetur kohë të më mbështesin, e unë ashtu siç nuk ju kam koritur kurrë, nuk kam me ju koritë as në të ardhmen”, ka shkruar Giiko në InstaStory.

Foto: Gjiko/InstaStory

I kontaktuar nga Telegrafi, avokati i reperit, Kujtim Kërveshi, ka dhënë detaje mbi zhvillimin e çështjes, duke thënë se për këtë janë ngritur padi ndaj dy mediumeve për shpifje.

“Ashtu siç është deklaruar vet Z. Gjikolli bëhet fjalë për dy padi civile ndaj mediumeve të shkruara në Kosovë të cilat përmes shkrimeve kanë cenuar integritetin personal të Z. Gjikolli dhe jo vetëm. Andaj,Z. Gjikolli ka zgjedhur t’i përgjigjet kësaj teme përmes gjykatës dhe ne presim një gjykim efikas. Për momentin po rezervohem të komentoj përmbajtjen tutje meqë palët do të njoftohen me kohë përmes aktvendimit të gjykatës kur të pajisen me shkresat e lëndës dhe e kuptojnë se çfarë shkelje të ligjit kanë bërë”, tha Kujtim Kërveshi për Telegrafin.

Ndërkohë, bashkë me sqarimin, reperi i hitit “X5” publikoi edhe dy paditë që ka ngritur ndaj mediumeve që sipas tij kanë trilluar historinë. /Telegrafi/

Foto: Gjiko/InstaStory
Exit mobile version