Telegrafi

Gjiganti saudit i naftës Aramco thyen rekordin e fitimeve, brenda tre muajve kap shifrën prej rreth 50 miliardë dollarësh

Kompania saudite e naftës Saudi Aramco ka thyer rekordin e saj të fitimeve në tremujorin e dytë të këtij viti, duke arritur shifrën prej 48.4 miliardë dollarësh.

Kjo vlerë përbën një rritje vjetore prej 90 për qind dhe shënon fitimet më të larta.

Sipas Bloombergut, shifra e gjigantit saudit përfaqëson “fitimin më të madh tremujor të çdo kompanie të listuar në bursë”.

Përveç fitimeve rekord, kompania njoftoi se do ta mbante dividentin e pandryshuar, në nivelin e 18.8 miliardë dollarëve.

“Teksa pasiguria ekonomike vazhdon, ngjarjet që kanë ndodhur gjatë gjysmës së parë të këtij viti mbështesin pikëpamjen tonë se investimet e vazhdueshme në këtë industri janë thelbësore si për të ndihmuar në sigurimin e furnizimit të bollshëm të tregjeve, ashtu edhe për të mundësuar një tranzicion të rregullt të energjisë. Në fakt, ne presim që kërkesa për naftë do të vazhdojë të rritet përgjatë pjesës tjetër të dekadës, pavarësisht presioneve ekonomike në rënie në parashikimet afatshkurtra botërore”, tha Amin Nasser, drejtori ekzekutiv i kompanisë.

Çmimet e naftës ishin duke u rritur edhe përpara luftës në Ukrainë, teksa ekonomitë filluan të rimëkëmbeshin nga pandemia COVID-19 dhe kërkesa tejkaloi ofertën.

Prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, duke përfshirë ExxonMobil, Chevron dhe BP, kanë pasur fitime të mëdha këtë vit, duke shtuar kështu thirrjet ndaj qeverive për të vendosur taksa shtesë, në rrethanat e rritjes alarmante të kostove të jetesës.

Pushtimi ushtarak rus i Ukrainës ka bërë që çmimet e naftës dhe të gazit të arrijnë nivele tepër të larta. /Telegrafi/