Kompania Bosch, një nga furnizuesit kryesorë në industrinë automobilistike, ka njoftuar se 450 punonjës do të punojnë me orar të shkurtuar, katër ditë në javë, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm.
Sipas një deklarate nga zëdhënësi i kompanisë për revistën Fortune, nga 1 marsi, punonjësit do të punojnë 35 orë në javë, krahasuar me orarin aktual prej 38 deri në 40 orë, duke pësuar gjithashtu ulje pagash. Arsyeja e kësaj mase është “situata e vështirë ekonomike” që ka ndikuar veçanërisht në degët e kompanisë në Stuttgart dhe Gerlingen.
Bosch, ashtu si shumë prodhues të tjerë evropianë, po përballet me një rënie të kërkesës në tregjet vendase dhe ndërkombëtare, ndërsa presioni nga konkurrentët kinezë vazhdon të rritet. Më shumë se gjysma e të ardhurave të saj vjetore, që arrijnë në 92 miliardë euro, kompania i gjeneron nga prodhimi i pjesëve të automjeteve, si frenat dhe dritat.
Në tetor, Bosch njoftoi shkurtimin e 7000 vendeve të punës dhe pranoi se nuk do të arrinte objektivat financiare për vitin 2024. Kryetari i bordit, Stefan Hartung, nuk përjashtoi mundësinë e reduktimeve të mëtejshme të stafit, shkruan dw.
Kriza ka prekur edhe gjigantë të tjerë gjermanë si Volkswagen, i cili po negocion me këshillin e punëtorëve për të ulur kostot administrative me 10 miliardë euro, përfshirë propozimin për ulje pagash me 10 për qind dhe mbylljen e një prej fabrikave të tij në Gjermani.
Problemet ekonomike po përhapen edhe tek prodhuesit e tjerë evropianë. Për shembull, FIAT, pjesë e grupit Stellantis, ka reduktuar orët e punës për punëtorët në fabrikën e Torinos dhe ka dërguar një pjesë të stafit në pushim të detyrueshëm.
Ekonomia gjermane është në një krizë të thellë. Pritet që GJDP-ja të bjerë për herë të dytë radhazi, ndërsa sektori industrial është në recesion prej më shumë se dy vitesh. Faktorët që ndikojnë negativisht përfshijnë çmimet e larta të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës dhe kërkesën globale të ulët, e cila prek veçanërisht eksportuesit gjermanë. /Telegrafi/