Site icon Telegrafi

Gjetjet mortore në Serbi, konferenca e Speciales, përplasja e deputetëve në Kuvend, intervista ekskluzive e Isa Mustafës për Telegrafin- ngjarjet që karakterizuan javën që lamë pas

Java që e lamë pas u karakterizua me një sërë ngjarjesh të cilat tërhoqën vëmendjen e opinionit.

Konferenca statusore e Gjykatës Speciale për ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, konfirmimi i varrezës masive afër Rashkës në Serbi ku u gjeten trupat e 15 viktimave shqiptare, tensione e përplasje verbale në Kuvend në mes deputetëve të LVV-së dhe LDK-së, dështimi i Projektligjit për Rimëkëmbje në komisionin për Buxhet dhe Financa, grabitje me eksploziv në një bankë në Rrugën B dhe intervista e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa për Telegrafin, ishin disa nga ngjarjet që shënuan javën e kaluar.

Më poshtë ju sjellim në mënyrë kronologjike këto ngjarje që karakterizuan javën që lam pas;

Serbia konfirmon varrezën masive afër Rashkës me trupat e 15 viktimave shqiptare

Ditën e hënë në një pjesë malore mes Rashkës dhe Kizhevakut të Serbisë, janë gjetur mbetje mortore, të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.

Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit në Qeverinë e Serbisë, Velko Odaloviq, ka konfirmuar sot se në një gurore në Kizhevak afër Rashkës janë gjetur mbetje mortore, për të cilat Fondi për të

Drejtën Humanitare tha se janë eshtra të 15 civilëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Odaloviq tha se ata trupa janë gjetur dje dhe se lokacionin e ka siguruar policia.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka konfirmuar për Telegrafin se tashmë ekipi kosovar është kthyer nga Serbia, dhe se janë në pritje të një vendimi të gjykatës në Serbi.

Konferenca statusore e Speciales për ish-krerët e UÇK-së

Më 18.11.2020 u mbajt konferenca statusore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Në këtë konferencë Prokurorja e Speciales propozoi që gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK të nis në verën e vitit 2021, mirëpo një gjë e tillë u kundërshtua nga avokatët mbrojtës të cilët u shprehen që gjykimi të nis në verën e vitit 2022.
Avokatët mbrojtës kanë propozuar që seanca e radhës të mbahet në mes të muajit dhjetor. Të njëjtit u shprehen se do të aplikojnë për lirimin me kusht të klientëve të tyre.

Dështon sërish shqyrtimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Komisioni për Buxhet dhe Transfere nuk i ka dhënë mbështetje Projektbuxhetit 2021 pasi nuk pati vendim marrje në votim. Deputetët e Vetëvendosjes (VV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) edhe pse ishin prezent nuk kanë votuar.

Për shkak të mos vendim marrjes, Komisioni ka shtyrë për një mbledhje tjetër votimin për Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Tensione dhe përplasje mes deputetëve të LVV-së dhe LDK-së

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku ishte duke u debatuar për të pagjeturit, është ndërprerë pasi që ka pasur përplasje mes deputetëve të LVV-së dhe LDK-së.

Në mbyllje të interpelancës për të pagjeturit, deputetja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari dhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi kanë vazhduar përplasjet edhe përtej foltores.

Grabitet një bankë te Rruga “B”, dëmtohet bankomati me eksploziv-dëgjohen edhe të shtëna armësh

Një bankë e cila ndodhet te Rruga “B” në Prishtinë është grabitur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes. Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se dyshimet e para janë që grabitja është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes.

Isa Mustafa për Telegrafin: Nëse nuk pajtohemi për Presidentin, do të pajtohemi për zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, është përgjigjur në shumë tema të rëndësishme për vendin.

Shefi i LDK-së ka folur për përplasjet mes deputetëve të LDK e LVV-së në seancën e Kuvendit të Kosovës, për mos kalimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, për përfshirjen e mundshme të PDK-së në Qeveri, për marrëdhëniet me AAK-në si partner koalicioni dhe çështjen e presidentit të ri që duhet të zgjidhet në afatin kushtetues.

Mustafa në këtë intervistë ka thënë se Kuvendi është bërë jofunksional dhe sipas tij më së paku po i përngjan organit ligjvënës e shumë më tepër një teatri me shfaqje të këqija për publikun. /Telegrafi/

Exit mobile version