Site icon Telegrafi

Gjesti i ëmbël i Butrint Imerit, befason një vajzë me sëmundje të rëndë dhe vallëzon me të

(Foto: Instagram/butrint_official)

Në programin “Dua të të bëj të lumtur” është trajtuar një histori frymëzimi dhe force, historia e vajzës së vogël, Gloria, e cila prej një dekade lufton me sëmundjen e saj. Në studion e programit kishin ardhur tri persona tepër të afërt të saj: mësuesja, shoqja më e ngushte dhe psikologia, të cilat ndanë historinë e dhimbshme.

Vajza kishte vuajtur që prej vegjëlisë prej një sëmundjeje të rëndë, një tumori në kokë që e ka privuar të jetojë fëmijërinë, adoleshencën, tashmë edhe rininë ashtu si gjithë moshatarët e saj. Trajtimet mjekësore ndër vite kanë lënë pas edhe probleme të mëdha ekonomike, probleme të cilat për familjen e saj po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u menaxhuar.

Si pasojë e kimioterapisë intensive, Glorias i kanë rënë flokët dhe për shkak të pamundësisë për t’i blerë një paruke, nëna e saj po zgjat flokët që të mund t’ia mundësojë vajzës një paruke të re. Gjithashtu tumori në kokë ia ka vështirësuar shumë mundësinë për të ecur normalisht dhe prandaj Gloria e ka të domosdoshme që ta shoqërojë gjithmonë dikush.

(Foto: Top Channel)

Sipas shoqes së saj të ngushtë, Gloria kishte dy vite që nuk dilte nga shtëpia dhe për këtë arsye ajo, mësuesja dhe psikologia dëshironin ta befasonin atë. Ato dëshironin që ta lumturonin, por gjithashtu t’i jepnin forcë për të luftuar çdo ditë me kurajë në mënyrë që shumë shpejt t’i rikthehet jetës normale.

Në fund për Glorian ishte rezervuar edhe një befasi e bukur. Posaçërisht për të, këngëtari i preferuar i saj, Butrint Imeri, i cili nuk nguroi ta ftojë publikisht në koncertin e tij të parë që do të zhvillohet pas përfundimit të pandemisë.

“Gloria unë jam tepër i prekur nga historia jote dhe dua të të them që për ty kam vetëm respekt. Dua që unë të marr këshilla nga ty, por sot kam ardhur të të them që dua të jem një vëlla i madh për ty e të kujdesem për ty!”, ishte mesazhi i Butrintit për Glorian, me të cilën edhe ka kërcyer.

Exit mobile version