Gjermania ka këshilluar qytetarët e saj që të largohen nga Irani në mes të tensioneve të përshkallëzuara në Lindjen e Mesme.
Kjo pasi që autoritetet gjermane paralajmëruan se ekzistonte rreziku i përshkallëzimit të papritur të situatës së Teheranit me Izraelin, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
“Në tensionet aktuale, veçanërisht midis Izraelit dhe Iranit, ekziston rreziku i një përshkallëzimi të papritur”, shkruante në një paralajmërim udhëtimi.
“Nuk mund të përjashtohet që rrugët e transportit ajror, tokësor dhe detar të mund të preken nga një gjë e tillë”.
Siç është thënë më tej, gjermanët ishin në “rrezik konkret” për t’u arrestuar, marrë në pyetje dhe nga dënime të gjata me burg.
“Qytetarët me shtetësi iraniane dhe gjermane janë veçanërisht në rrezik”, citohet të jetë thënë më tej.
Njoftimi vjen në kohën kur një goditje nga Irani ndaj Izraelit është një kërcënim “real dhe i besueshëm”, ka thënë Shtëpia e Bardhë, ndërsa frika për një sulm të afërt nga Teherani rritet.
Tensionet janë të larta lidhur me mundësinë që Irani të hakmerret për një sulm ajror që vrau komandantë të lartë iranianë gati dy javë më parë.
Ndryshe, një paralajmërim i tillë ka ardhur edhe nga presidenti amerikan Joe Biden i cili u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të premten se ai pret që Irani të sulmojë Izraelin “herët a vonë”.
Ndërsa i pyetur se cili është mesazhi i tij për Iranin tani, presidenti tha: “Mos e bëj”.
Në përgjigje të pyetjeve nga gazetarët në sallë, nëse trupat amerikane ishin në rrezik – Biden u kthye në podium dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë “të përkushtuara” për mbrojtjen e Izraelit. /Telegrafi/