Telegrafi

Gjermania thotë se do të dërgojë 5.000 helmeta në Ukrainë pasi u kritikua për refuzimin e dërgimit të armëve

Ministrja gjermane e Mbrojtjes tha se Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës 5000 helmeta, pasi ajo u kritikua se nuk i dërgoi armë këtij vendi, pavarësisht kërcënimit të një pushtimi rus.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Christine Lambrecht i tregoi komitetit gjerman të mbrojtjes për planet të mërkurën, tha ministria e mbrojtjes në Twitter.

Ministria tha se Lambrecht “e bëri të qartë gjithashtu se Gjermania qëndron ngushtë në anën e Ukrainës”.

Zyrtarët gjermanë më parë thanë se vendi nuk do të dërgonte armë në Ukrainë, por se do të dërgonte një spital fushor.

Qëndrimi i saj nuk është në një linjë me aleatët e saj të NATO-s, disa prej të cilëve kanë dërguar armë mbrojtëse në Ukrainë.

Në përgjigje, Vitali Klitschko, kryebashkiaku i Kievit, akuzoi Gjermaninë “për një tradhti ndaj miqve”.

Ukraina ka paralajmëruar se Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi, por Rusia ka mohuar vazhdimisht të ketë ndonjë plan për një pushtim.

Gjermania u kritikua gjithashtu nga Ukraina pasi oficeri i lartë i marinës gjermane tha se Rusia “meriton respekt” mbi Ukrainën.

Ai oficer më vonë dha dorëheqjen.

Gjermania më pas tha të hënën se do ta ndihmonte Ukrainën duke i dhënë asaj ndihmë financiare, megjithëse nuk tha se sa. /Telegrafi/