Site icon Telegrafi

Gjermania pranon nga Greqia refugjatë minorenë të pashoqëruar

Zakonisht Aeroporti i Athinës është plot me turistë apo njerëz të biznesit. Vetëm në vitin 2019 aty kanë kaluar 29 milionë pasagjerë. Këtë vit pritej që rekordi të thyhej. Por në krizën e coronavirusit, korridoret janë bosh, megjithë festën ortodokse greke të pashkëve. Një nga aeroplanët që u nis të shtunën e pashkëve ortodokse mori rrugën drejt Hanoverit në Gjermani. Në bord 49 refugjatë minorenë të pashoqëruar. 58 minorenë duhej të vinin, por një pjesë është e sëmurë, jo me coronavirus dhe të udhëtojë më vonë.

Megjithë masat e sigurisë për shkak të pandemisë, ata lejohet të vijnë në Gjermani. Një pjesë e minorenëve i pranoi Luksemburgu javën që shkoi. Por situata në kampet greke të refugjatëve nuk do të përmirësohet me ardhjen e këtyre pak minorenëve.

Në Greqi janë 5200 minorenë të pashoqëruar 

Europa kishte premtuar në mars pranimin e 1600 minorenëve të pashoqëruar. Por erdhi kriza e coronavirusit, dhe qeveria gjermane fillimisht vendosi të ndërpresë pranimin e refugjatëve. Ministria e Punëve të Brendshme e pyetur nga Deutsche Welle, bëri të ditur, se ky vendim nuk prek fëmijët minorenë, që do të evakuohen si është premtuar, por për një kohë të gjatë nuk u bë asgjë.

Që tani lejohet të vijnë 70 minorenë, nga shumë organizata humanitare vlerësohet jo më shumë se një gjest i mirë. Për shkak të situatës katastrofike në kampet greke, shpresat ishin në fillim shumë më të mëdha. Zhgënjimin nuk e zbut as deklarata e dhënë të shtunën nga ambasadori gjerman në Athinë, Ernst Reichel. Ai tha para medias, se në Gjermani do mund të vijnë 350-500 minorenë të pashoqëruar. Se kur, kjo nuk është e qartë.

Për Philippe Leclerc, drejtuesin e organizatës së OKB-së, UNHCR në Greqi, ky është një fillim, edhe pse shumica e vendeve u tërhoqën nga premtimi për pranimin e refugjatëve të rinj. Pas shumë thirrjesh për ndihmë, u fillua me pranimin e fëmijëve nën 14 vjeç, që qëndronin në kushte jonjerëzore në kampe. Nevoja është urgjente, thotë Leclerc. „Prej më shumë se një viti situata në ishujt, Lesbos, Samos, Kos është e padurueshme. Në Samos kapacitetet janë tejkaluar më shumë se 11-fish.” Sidomos në kohët e coronavirusit kjo gjendje është e papranueshme dhe Greqia nuk duhet lënë vetëm, sipas tij. /DW/

Exit mobile version