Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka përshëndetur hyrjen në fuqi të marrëveshjes energjetike ndërmjet Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E) dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT).
Sipas ambasadës, kjo është një moment historik për Kosovën dhe për bashkëpunimin rajonal.
“Ambasada gjermane përgëzon KOSTT-in dhe Qeverinë e Kosovës për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Lidhjes me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit (ENTSO-E). Marrëveshja më në fund mundëson krijimin e një zone të pavarur të kontrollit për Kosovën – kjo është një moment historik për Kosovën dhe për bashkëpunimin rajonal”, thuhet në njoftimin e ambasadës, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ditë më parë kishte njoftuar se ka hyrë në fuqi kjo marrëveshje që mundëson pavarësimin energjetik të vendit.
Ndryshe, rreth pesë muaj më parë, atëherë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari ka bërë të ditur se kishte përfunduar procesi i votimit për marrëveshjen e re ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, me të cilën, sipas saj, vendi ynë fiton pavarësi energjetike. /Telegrafi/