Site icon Telegrafi

Gjermania merr nën kontroll furnizuesin me gaz Uniper

Kompania energjetike Uniper, e cila është goditur nga mungesa e furnizimeve me gaz rus, u fut nën kontrollin e shtetit. Qeveria mori 99 për qind të aksioneve të Uniperit.

Kriza energjetike e shkaktuar nga Rusia ka tronditur importuesin më të madh gjerman të gazit. Kompania energjetike tani do të futet nën kontrollin e shtetit, që është një procedurë e rrallë dhe përdoret në rastet kur një kompani nuk mund të mbijetojë vet dhe futet nën mbikëqyrjen e shtetit.

Kompania mëmë finlandeze Fortum njoftoi se ndërkohë është arritur marrëveshje në parim me qeverinë federale. Ndaj shteti gjerman do të bëhet aksionari më i madh i kompanisë Uniper. Pas blerjes së aksioneve të Uniper nga Fortum, qeveria federale do të zotërojë rreth 98.5 për qind të aksioneve.

Ministria federale e Ekonomisë njoftoi se qeveria federale do të ketë “gjithsej 99 për qind të Uniper” si pjesë e një pakete tjetër stabilizimi të kësaj kompanie e cila gjendet në krizë të madhe, për shkak të ndalimit të gazit nga Rusia.

Me marrjen e këtyre aksioneve nga qeveria do të rritet kapitali i kompanisë për tetë miliardë euro, plus gati gjysmë miliardë për aksionet e mëparshme të kompanisë mëmë finlandeze Fortum.

Gazi rus dhe rritja e çmimeve

Uniper është një grup ndërkombëtar energjetik që shet energji elektrike dhe gaz për klientët me shumicë, si ndërmarrjet komunale dhe kompanitë industriale, por është aktiv edhe në ruajtjen e gazit. Kompania është shumë e varur nga tregtia e gazit me Rusinë dhe është futur në vështirësi të mëdha financiare, për shkak të ndërprerjes së furnizimit me gaz rus. Për të qenë në gjendje të furnizojë klientët e vet.

Pavarësisht problemeve me Rusinë, Uniper duhet të kërkojë alternativa dhe të marrë gaz diku tjetër. Por ky gaz do të jetë me çmime më të larta sesa gazi rus. Kostot shtesë nuk mund të barten te klientët e Uniper, për shkak të kontratave të nënshkruara më parë. Prandaj kompania ka punuar me humbje të mëdha muajt e fundit.

Edhe më parë, në verë, është ndarë një paketë me ndihma nga qeveria me vlerë prej miliarda euro. Por gjendja është përkeqësuar për shkak të ndërprerjes së furnizimit me gaz rus përmes “Nord Stream I”. Uniper kërcënohet nga mundësia e falimentimit ndaj shteti është detyruar të intervenojë dhe të marrë gati të gjitha aksionet e kompanisë. /Deutsche Welle/

Exit mobile version