Gjermania thotë se ‘shfaqja’ e talebanëve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA) nuk do të shërbente asgjë.
Gjermania ka shprehur kundërshtimin ndaj kërkesës së talebanëve për t’iu drejtuar UNGA-së, duke thënë se “shfaqja” nga sundimtarët e rinj të Afganistanit nuk do të shërbente për asnjë qëllim.
“Të caktosh një shfaqje në Kombet e Bashkuara nuk do të shërbejë asgjë”, u tha gazetarëve Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.
“Ajo që është e rëndësishme janë veprat konkrete dhe jo vetëm fjalët, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe në veçanti të drejtat e grave dhe një qeverie gjithëpërfshirëse dhe distancimin nga grupet terroriste”, tha ai, raporton aljazeera.
Komiteti i kredencialeve i OKB -së, i cili përcakton se kush njihet si përfaqësues i një vendi të caktuar, nuk pritet të marrë një vendim mbi Afganistanin deri pas javës aktuale të takimeve dhe fjalimeve të nivelit të lartë.
Ndryshe, disa javë pasi e morën pushtetin në Afganistan, talebanët kanë kërkuar që t’u drejtohen liderëve botërorë me një fjalim në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila po i zhvillon punimet vjetore këtë javë në New York. /Telegrafi/