Telegrafi

Gjermania i kërkon Serbisë që menjëherë të reduktojë trupat ushtarake pranë kufirit me Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka reaguar pas pozicionimit të ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.

Gjermania ka thënë se duhet të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm mes Serbisë dhe Kosovës.

“Është e rëndësishme që Serbia të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën pa vonesë. Së bashku me partnerët tanë, ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me palët e përfshira. Procesi politik duhet të vazhdojë urgjentisht”, ka thënë MPJ e Gjermanisë, transmeton Telegrafi.

Të premten, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

Ndërsa, sot edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani. /Telegrafi/