Kancelari gjerman Olaf Scholz e ka hapur terminalin e parë të gazit të lëngshëm natyror në qytezën veriore Vilhelmshaven.
Ndërtimi i tij – në afat rekord prej më pak se 10 muajve – tregon “kapacitetin e shtetit tonë për fillime të reja”, ka thënë Scholz në ceremoninë inauguruese.
Ky terminal është ndërtuar për të ndihmuar në zëvendësim të gazit rus. Terminali në të ardhmen pritet të shndërrojë gazin e lëngshëm natyror në gjendje gazi, ashtu që të përdoret nga rrjeti gjerman i energjisë.
Vitin e ardhshëm pritet të ndërtohen edhe katër terminale tjera të tilla në Gjermani.
Sipas Ministrisë gjermane të Ekonomisë, të gjitha këto terminale së bashku mund të sigurojnë një të tretën e gazit që i duhet vendit.
Scholz e ka marrë vendimin për ndërtim të terminaleve tri ditë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Si pasojë e sanksioneve që i ka vënë Perëndimi Moskës për këtë luftë, Rusia i ka zvogëluar furnizimet me gaz në Evropë, dhe me raste i ka ndalur ato tërësisht.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/