Zëdhënësi i Qeverisë Federale të Gjermanisë, Steffen Hebestreit, ka deklaruar se është zhgënjyese përsëri që takimi i djeshëm në Bruksel nuk ka dhënë rezultate.
Hebestreit potencoi se pengesat e palëve në dialog nuk do to të lejojnë të dalin nga kriza.
“Shumë zhgënjyese që takimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ishte sërish i pasuksesshëm. Pengimi nuk do të na nxjerrë nga kriza. Dialogu i normalizimit i udhëhequr nga BE-ja është mënyra e vetme për një zgjidhje”, shkroi Hebestreit në “X”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Takimi, që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat, tha Borrell.
Sipas tij, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.
Very disappointing that the dialogue meeting between #Serbia and #Kosovo was again unsuccessful. Obstruction will not get us out of the crisis. The EU-led normalization dialogue is the only way to a solution. Germany will continue to work intensively with its partners on this. https://t.co/EFVP8sVaRX
— Steffen Hebestreit (@RegSprecher) September 15, 2023