Ministria e Punëve të Brendshme të enjten ka pranuar një donacion me pajisje profesionale për Policinë e Kosovës nga qeveria gjermane.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se donacioni që qeveria gjermane ka dhuruar për Policinë e Kosovës do të lehtësojë punën e tyre.
“Donacioni që qeveria gjermane ka dhuruar për Policinë e Kosovës do të lehtësojë punën tonë në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, me mallra të kontrabandës, me pajisjet më të fundit të teknologjisë. Policia e Kosovës, në këtë rast dhe departamenti i kufirit ka një bashkëpunim të shkëlqyer me ambasadën në Prishtinë.
Janë duke vazhduar dhe trajnimet e policisë kufitare nga instruktorët e policisë gjermane. Ashtu siç i zotohemi qytetarëve tanë, i zotohemi dhe aleatëve tanë që sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të mbetet parakusht si progres i vendit tonë”, ka thënë Sveçla.
Ai po ashtu tha se e falënderon shtetin gjerman për këtë donacion me vlerë rreth gjysmë milioni euro. “Shpresoj që bashkëpunimi ynë do të thellohet e rezultatet do të rriten”, tha ai.
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde ka thënë se ”Kemi një partneritet të ngushtë prej dy dekadash. Ky donacion i sotëm shpresoj shumë që nuk do të kontribuoj vetëm në sigurinë e Kosovës por në sigurinë tonë të përgjithshme. Ka pasur dhe ndihma të tjera që kemi ofruar dhe kjo tregon se sa i ngushtë është bashkëpunimi ynë”.
Ndryshe, ky donacioni përmban pajisje profesionale për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit. /Telegrafi/