Gjermania dhe BE-ja kanë dënuar vendimin e Rusisë për mbylljen e zyrës në Moskë të transmetuesit publik ndërkombëtar Deutsche Welle (DW).
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, i gjithë stafi i DW-s ka humbur akreditimet e shtypit dhe kanalit iu është ndaluar transmetimi në Rusi.
Ministri i Kulturës në Gjermani tha se masa ishte “e papranueshme”.
Rusia argumentoi se po hakmerrej pasi rregullatorët gjermanë vendosën që një kanal i ri televiziv shtetëror rus, RT De, nuk kishte licencë të përshtatshme për të operuar.
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se nëse Gjermania do të lëvizte për të “normalizuar situatën”, atëherë do ta bënte edhe Rusia.
RT ka kanale në anglisht, frëngjisht dhe spanjisht dhe nisi kanalin e saj satelitor në gjuhën gjermane në dhjetor të vitit 2021, duke përdorur një licencë nga Serbia, jashtë Bashkimit Evropian. /Telegrafi/