Site icon Telegrafi

Gjermani, ekonomia me rritje modeste

Një rritje e fuqishme e konsumit privat, që ka kompensuar edhe dobësinë në investime, ka ndihmuar ekonominë gjermane të publikojë një rritje modeste në tremujorin e tretë të këtij viti, duke shmangur recesionin.

Zyra Federale e Statistikave, konfirmoi vlerësimin e mëparshëm të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto me 0.1 për qind në periudhën Korrik-Shtator. Konsumi privat u rrit me 0.7 për qind gjatë se njëjtës periudhë, rritja më e madhe në tre vitet e fundit, ndërsa investimet publike u rritën me 0.6 për qind. Konsumi i përgjithshëm kontribuoi me 0.5 pikë përqindjeje në rritjen e tremujorit të tretë.

Edhe tregtia ishte një mbështetje, me eksportet që u rritën me një hap më të shpejtë se importet.
Kurse sa i përket dobësive, investimet në pajisje ranë me 2.3 për qind, ndërsa edhe kapitali bruto dhe investimet në ndërtim patën një tendencë negative. Investimet e ulën me 0.7 pikë përqindjeje Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë tremujorit të tretë.

Në tremujorin e dytë të këtij viti, ekonomia gjermane u kontraktua me 0.1 për qind, dhe disa analistë frikësoheshin se ekonomia më e madhe në Europë do të binte në recesion teknik. Dobësia në partnerët kryesorë në Eurozonë, siç është Franca dhe kriza në Ukrainë kanë dëmtuar ekonominë gjermane. Por duket se Gjermania po ndryshon trendin.

Të Hënën, indeksi Ifo, që mat klimën e biznesit, rezultoi përmbi parashikimet e analistëve, duke ndikuar në rritjen e vlerës së euros përballë dollarit. Papunësia e ulët, rritja e pagave dhe normat e ulëta të interesit, gjithashtu po mbështesin ekonominë gjermane, që ka qenë lokomotiva e rritjes gjatë periudhës së krizës. /Telegrafi/

Exit mobile version