Site icon Telegrafi

Gjermanët hapin fabrikë në Podujevë

nvestitorë gjermanë do të hapin një fabrikë në Podujevë, e cila do të bëjë përpunimin e perimeve, u tha pas një takimi që sot ka zhvilluar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, me ambasadoren gjermane në Kosovë, Angelika Viets, dhe një grup investitorësh.

“Takimi i sotëm ishte pak më specifik. Është për një investim të përpunimit ushqimor, përkatësisht perimeve, që po planifikohet të bëhet këtë vit në Podujevë. Me investitorin u pajtuam që procesi i aplikimit për punë t’i ketë prioritet gratë, e posaçërisht gratë nën asistencë sociale, sepse ideja është që t’i largojmë nga kjo shtresë. Kjo do të bëhet përmes zyrave të punësimit”, tha Abrashi.

Sipas tij, sfidat me të cilat ballafaqohen investitorët në Kosovë janë mungesa e punëtorëve për industri specifike. Andaj për këtë projekt Abrashi tha se një numër i punëtorëve do të trajnohen në Gjermani.

“Një prej sfidave të investitorëve përkundër paradoksit që kemi papunësi të lartë në Kosovë, paradoksi i madh ekziston se një numër i madh i investitorëve nuk gjejnë punëtorë për industri specifike. Realisht edhe investimi për të cilin folëm sot ballafaqohet me atë sfidë dhe në kuadër të kësaj ne e kemi ofru ndihmën tonë. Një numër i punëtorëve që angazhohen në fabrikë do ta bëjnë trajnimin në Gjermani”, theksoi ministri.

Ndërkaq, ambasadorja Angelika Viets theksoi se investitorët gjermanë kanë pasur optimizëm në këtë drejtim.

Sipas saj, Kosova ka mjaft storje suksesi mirëpo mediat vendore e ndërkombëtare e paraqesin vetëm imazhin e keq të Kosovës.

“Mediat e juaja dhe ndërkombëtare shfaqin imazhe të gazit lotsjellës në Parlament e që është imazh i keq. Ky është reputacion i keq i Kuvendit tuaj në Gjermani dhe ne po përpiqemi shumë që këtë ta ndryshojmë, por kjo merr shumë kohë dhe është përgjegjësi edhe e mediave”, u shpreh Viets.

Ajo ka ftuar mediat të nxjerrin edhe lajme të mira duke thënë se “ka shumë storje të suksesit në Kosovë por nuk i shoh asnjëherë nga mediat. Nga mediat ne marrim vetëm lajme të këqija”.

Sipas saj është detyrë shtetërore apo kombëtare që të përpiqen ta përmirësojnë imazhin e Kosovës në botën e jashtme.

Exit mobile version