Site icon Telegrafi

Gjendje e jashtëzakonshme në Haiti – bandat hyjnë në një burg, vrasin disa dhe lirojnë rreth 4 mijë të burgosur

Haiti ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme 72-orëshe dhe shtetrrethim natën brenda dhe përreth kryeqytetit për shkak të dy daljeve nga burgu dhe pasigurisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, masa erdhi pasi në fundjavë, bandat e armatosura sulmuan një burg të madh në Port-au-Prince, duke çuar në vrasjen e të paktën 12 personave dhe lirimin e rreth 4,000 të burgosurve.

Si rezultat, shumica dërrmuese e rreth 4,000 burrave të mbajtur atje tani janë arratisur, ka thënë një gazetar lokal për BBC News, përcjell Telegrafi.

Midis të arrestuarve ishin anëtarë të bandës të akuzuar në lidhje me vrasjen e presidentit Jovenel Moïse në vitin 2021.

Dhuna në Haiti, vendi më i varfër në Amerikë, është përkeqësuar vitet e fundit. Bandat që synojnë të rrëzojnë kryeministrin Ariel Henry kontrollojnë 80% të Port-au-Prince.

Rritja e fundit e dhunës filloi të enjten, kur kryeministri udhëtoi për në Nairobi për të diskutuar dërgimin e një force sigurie shumëkombëshe të udhëhequr nga Kenia në Haiti.

Pas kësaj, një valë të shtënash la katër policë të vdekur dhe pesë të plagosur.

Sindikata e policisë së Haitit i kërkoi ushtrisë të ndihmonte në përforcimin e burgut, por kompleksi u sulmua vonë të shtunën. /Telegrafi/

Exit mobile version