Site icon Telegrafi

Gjendje alarmante në New York nga coronavirusi, ndërtohet morgu mobil para spitalit – zbrazen të gjitha rrugët

Vetëm disa ditë pasi zyrtarët e New Yorkut urdhëruan banorët të qëndrojnë të mbyllur nëpër shtëpitë e tyre, autoritetet janë aktivizuar për të luftuar me krizën potenciale të shëndetit publik në qytetin që më së shumti ka të prekur nga coronavirusi në SHBA.

Ata kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura madje duke ndërtuar një morg mobil të improvizuar që qëndron para spitalit, kurse nga policia e qytetit është kërkuar të patrullojnë dhe t’i zbrazin rrugët e qytetit, me qëllim të mos ketë tubime publike do të rrezikonin përhapjen e mëtejme të COVID-19, transmeton Telegrafi.

Zyrtarët e shëndetit publik janë duke kërkuar shtretër dhe pajisje të ndryshme medicinale, duke i bërë thirrje mjekëve dhe infermierëve t’ju dalin në ndihmë nga frika se numri i të prekurve gjatë ditëve të ardhshme mund të jetë shumë i madh siç ndodhi në Itali dhe Spanjë.

Universiteti i New Yorkut u ka ofruar studentëve të mjekësisë diploma të përkohshme, me qëllim që të mund t’i bashkohen luftës kundër coronavirusit.

Numri i të vdekurve në SHBA ka shkuar në mbi 800 dhe me më shumë se 60 mijë të infektuar, kurse vetëm në New York janë regjistruar më shumë se 30 mijë raste të prekur me COVID-19 si dhe 300 tjerë që kanë humbur jetën.

Ndërkaq guvernatori Andrew Cuomo ia ka atribuuar qytetit virusin për shkak të numrit të madh të banorëve që jetojnë në New York dhe që mbi 9 milionë ndajnë të njëjtën metro, ashensorë, zyra dhe ndërtesa, duke theksuar se New Yorku është portë hyrëse për në SHBA për pasagjerët nga e mbarë bota. /Telegrafi/

Exit mobile version