Telegrafi

Gjendja energjetike, Podujeva ndal ndriçimin publik për të kursyer rrymë

Me qëllim të kursimit të energjisë elektrike, Komuna e Podujevës ka marrë vendim që për një kohë të pacaktuar të ndalet ndriçimi publik jashtë zonës urbane të komunës.

Përmes një njoftimi në Facebook, kjo komunë ka bërë të ditur se vendimi të jetë në fuqi deri në përmirësim të situatës me energji elektrike në Kosovë.

“Duke qenë të vetëdijshëm për krizën energjetike në të cilën ndodhet vendi me reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike dhe shpalljes së gjendjes emergjente të energjisë elektrike nga ana e Qeverisë së Kosovës, kam marrë vendim që për një kohë të pacaktuar (deri në përmirësim të situatës) të ndalet ndriçimi publik jashtë zonës urbane të komunës, me qëllim të kursimit të energjisë elektrike për ekonomitë familjare”, thuhet në njoftim.

“Duke uruar e shpresuar të përmirësohet shpejt situata e energjisë elektrike në vendin tonë, ju lus për mirëkuptim”, përfundon njoftimi.

Ndryshe, me 29 dhjetor të 2021, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike.

Lexo po ashtu Miratohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike

Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Që nga 22 dhjetori, konsumatorët në Kosovë po përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës./Telegrafi/