Site icon Telegrafi

Gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës vlerësohet e qetë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në takimin e sotëm, gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar stabile dhe të qetë, si dhe ka shqyrtuar informatën për sigurinë në shkolla dhe masat parandaluese ndaj djegies së pyjeve.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka analizuar gjendjen e sigurisë; informatën për sigurinë në shkolla; masat parandaluese kundër djegies së pyjeve.

Lidhur me gjendjen e sigurisë gjatë dy muajve të fundit raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, e cili tha se gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës është e qetë dhe stabile.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas kapitenit Bislimi rastet e raportuara kriminale kanë shënuar rënie.

Komandanti i Policisë tha se janë shtuar aktivitetet dhe prezenca e policisë për ngritjen e sigurisë në komunikacion.

Edhe përfaqësuesi i KFOR-it gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.

Ndërsa drejtori i Arsimit, Avni Maloku, foli lidhur me sigurinë në shkolla, duke vlerësuar se në përgjithësi në të gjitha nivelet e arsimit ka një siguri të mirë.

Exit mobile version