Telegrafi

Gjendja e rënduar pas vërshimeve, Mehaj: Jemi të gatshëm për të reaguar bashkë me ekipet e specializuara të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se pas reshjeve të mëdha që po vazhdojnë dhe vërshime në shumë komuna të vendit, autoritetet zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.

Ai ka bërë të ditur se Ministria e Mbrojtjes është në gatishmëri të plotë të reagojë, varësisht nga kërkesat për mbështetje të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave.

Lexo po ashtu Gjendje e rëndë nga vërshimet në disa komuna të Kosovës, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

“Ministria e Mbrojtjes, bazuar në Planin e  Reagimit Kombëtar në Emergjenca,  është në gatishmëri të plotë të reagojë, varësisht nga kërkesat për mbështetje të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

“FSK si çdoherë, në secilën situatë emergjente, është e gatshme plotësisht, me të gjitha kapacitetet e saj në dispozicion, që të realizojë detyrën ligjore të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë pa dallim”.

Ndryshe, reshjet e shumta të shiut kanë bërë që gjatë ditës së sotme të ketë vërshime në disa komuna të Kosovës, gjë që ka shkaktuar edhe bllokim të rrugëve dhe depërtim të ujit nëpër disa shtëpi e banesa.

Gjendje më e rënduar është në Skenderaj, Pejë, Istog, Klinë, Mitrovicë e Podujevë. /Telegrafi/