Gjendja e rëndë ekonomike në Mitrovicën e ndarë në dysh, po i shtynë shumë të rinj që të rrezikojnë edhe shëndetin e tyre për mbijetesë.
“Çapuritësit”, siç i quajnë të gjithë këtu, janë pothuajse “punëtorë” të rregullt të deponisë së mbeturinave të rajonit të Mitrovicës, në malin e ‘Gërmovës’ të fshatit Koshtovë.
Me këtë punë ata sigurojnë ekzistencën e familjeve, edhe pse të vetëdijshëm se po rrezikojnë shëndetin, por e pranojnë se nuk kanë kah t’ia mbajnë.
Mbi 30 persona të moshave madhore, duke mos llogaritur edhe një numër të të miturve, që vinë nga fshatra të ndryshme të Mitrovicës, janë vizitorët e përditshëm të deponisë së mbeturinave në Gërmovë.
Në një hapësirë ku gjithçka kundërmon, ata shpesh të mbështjellë në fytyrë e me dorëza në duar, disa edhe pa to, kërkojnë gjësende kryesisht të metalta e të plastikës në deponinë e bërllokut, për të mbijetuar së bashku me familjet e tyre.
Ata ushqehen edhe me artikuj ushqimorë me afat të skaduar, si çokolata, lëngje të ndryshme, të cilat sillen këtu nga institucione siç është spitali.
Shumica prej tyre janë agresivë, nuk i duan kamerat, nëse insiston, të sulmojnë, pastaj gjuajnë edhe me gurë, kjo vetëm për një arsye, sepse nuk duan që askush të dijë se çfarë pune kryejnë.
KosovaPress-i për dy ditë me radhë mezi ka arritur të bisedojë me dy prej tyre, të cilët flasin shkurt dhe kanë kushte – emrat e fytyrat nuk duan t’i bëjnë publike.
“Njëzet e një vjet i kam, mbledh shishe, hekur, kënaçe, plastikë, llastik. Nja 5-6 vjet vij rregullisht. Vij prej orës 6 ose 7 dhe rri deri në 4-5…Jemi dy anëtarë…Mbaj familjen me të hollat që fitoj…S’ka punë tjetër, kam provuar, por s’të ndihmon askush…Gjithqysh fitoj 10-15 euro, për zotin sa për mos me heq keq thuaja, sepse më shumë diçka jo. Edhe era këtu, plus injeksionet çka marrim, zor është boll… Për tre muaj, dy – tre herë pa shkuar te mjeku s’ke qare, pa i bërë analizat për t’i parë se si dalin…Vjet e parvjet kam shkuar shpesh sepse jam helmuar. Kallaballëk jemi këtu, 20-30 vetë vinë rregullisht prej kahmos”, thotë njëri prej ‘çapuritësve’ nga fshati Gushafc i Mitrovicës.
Derisa biseduam me të dhe na tregonte se këtu vinë për të mbledhur mbeturina të rinj e të moshuar nga fshatrat Gushafc, Vinarc, Koshtovë, etj. të cilët janë të rregullt si me qenë të punësuar në deponi, shumë shokë të tij u larguan shpejt nga aty, duke shkuar në malet përreth për të ikur nga kamera.
Një tjetër ‘çapuritës’, u shpreh i kënaqur me fitimin këtu, duke bërë të ditur se fiton deri në 30 euro në ditë dhe me këto para ka arritur të ndërtojë shtëpinë.
Ai, i cili tregoi se pikërisht sot feston duke punuar këtu ditëlindjen e 50-të, shtoi se s’ka ku të punojë tjetër dhe detyrohet ta bëjë këtë punë për të mbajtur familjen pesë anëtarësh.
“Këtu mbledhim që 6-7 vjet, kanaçe, hekur, plastikë, shishe…Këtu punojnë afër 50 veta…Për çdo ditë unë vij sabah aksham, vij në ora 6 në sabah bën vaki deri në 6 aksham…Fitojmë elhamdulilah 20-30 euro…Veç për familje, veç për fëmijë e për familje…Pesë anëtarë të familjes jemi, me këtë punë i mbaj, nuk kam kurrfarë të ardhura tjera. E kam një ndihmë sociale edhe këtu çka punoj. As s’më ka ndihmuar kush për shtëpi, e kam bërë vetë dalë ngadalë…Shtetin që e kemi ne medoemos duhet me punuar këtë punë, deshe s’deshe. Sot e kam ditëlindjen, bën vaki 100 vjet më shkojnë këtu në bërllok. 50 vjet i kam bërë, por Zoti është i madh, ai shpresoj na ndihmon, sepse kështu nuk shkon”, tha ai.
Sipas tij, ka raste kur ata ushqehen këtu me artikuj të skaduar që njerëzit ose institucionet i kanë hedhur, ndërsa pranoi se i dërgojnë ato edhe në shtëpi, por këtë nuk deshi ta thotë para kamerës.
Ai prapa kamerës po ashtu theksoi se analizat e fundit që i ka bërë, kanë dëshmuar se është i infektuar, por thotë se nuk e ka mendjen të ndalet së punuari, pasi s’ka si ta mbajë familjen.
Hysen Jashari, përgjegjës i deponisë ‘Uniteti-Gërmovë’ në Koshtovë, tha për KosovaPress se janë rreth 30 persona të cilët prej pasluftës vinë aty rregullisht dhe mbledhin mbeturina.
“Është e vërtetë se këtu tubohen afër 20-30 qytetarë, të cilët vinë prej mëngjesit deri në mbrëmje, mbledhin gjëra si kanaçe, shishe etj. për të mbijetuar dhe për të mbajtur familjet…Unë jam këtu prej vitit 2010, dhe këta prej pasluftës vinë këtu rregullisht”, ka thënë Jashari.
Gazmend Morina, drejtor i Kompanisë rajonale për hedhjen e mbeturinave ‘Uniteti’ në Mitrovicë, ka bërë të ditur se në deponinë e Gërmovës hedhen mbeturinat nga tre qytetet, Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj dhe e cila i plotëson standardet.
Sipas tij, kjo deponi është më së miri e mirëmbajtur në krahasim me deponitë tjera të vendit.
Ai ka potencuar se për largimin e ‘çapuritësve’, siç i quajti ai, duhet të kujdeset policia, pasi personeli i ‘Unitetit’ nuk ka mundësi teknike dhe as të sigurisë për t’u marrë me këtë çështje.
“Në deponinë e grumbullimit të mbeturinave regjionale në Gërmovë është një grup prej dhjetëra personave të cilët quhen si ‘çapuritës’, dhe të cilët jetojnë nga mbledhja e mbeturinave në mënyrë ilegale. Ata fillimisht rrezikojnë jetën e tyre duke nxjerr mbeturina në ato kushte, pastaj me veprimet e tyre rrezikojnë dhe jetën dhe punën e personelit të Kompanisë tonë atje…Për largimin e tyre duhet të kujdesen organet e sigurisë kryesisht policia, për shkak se duke qenë një numër aq i madh i personave që mbledhin mbeturina aty, ne nuk kemi mundësi teknike të merremi me ta dhe as siguri qysh me u marr me ta”, tha Morina.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se policia i është përgjigjur kërkesave të kompanisë ‘Uniteti’, sa herë është shfaqur nevoja, duke trajtuar çështje sipas kompetencave që ka policia.
“Policia mbi bazën e autorizimeve të saj në çdo rrethanë autoriteteve të Kompanisë rajonale të mirëmbajtjes së mbeturinave, i është përgjigjur me asistime sipas nevojave dhe kërkesave të tyre. Kështu që çdo situatë që është paraqitur në atë lokacion sa i përket problematikave, çështjeve tjera, apo edhe incidenteve, policia çdo herë ka qenë me kohë dhe ka trajtuar çështjet sipas kompetencave të saj”, tha për KosovaPress Zahiti.
Në anën tjetër, infektologu Visar Gashi, tha se personat në fjalë gjatë punës së tyre dhe kushteve në të cilat punojnë, janë të ekspozuar ndaj një rreziku të madh shëndetësor.
Ai ka përmendur nga sëmundjet më të lehta dhe deri tek ato të rëndat dhe më të rrezikshmet, siç janë hepatiti B dhe C, me të cilat tha se mund të ballafaqohet secili prej personave që punojnë në ato kushte, por dhe familjarët e tyre..
“Ata janë të ekspozuar ndaj shumë sëmundjeve të ndryshme. Prej sëmundjeve të lehta, që llogariten vjellja, diarreja që quhen baktere apo virus të ndryshëm, e duke llogaritur gamën e gjerë të përbërësve të mbeturinave në ato deponi, atëherë hyjnë edhe sëmundjet e rënda, të cilat janë shumë të rrezikshme edhe për personin, por njëkohësisht edhe për familjarët e tyre…Zakonisht nëse shkojmë prej më të lehtave janë këto bakteriale ku njihen esheria kolli, stafilokoke, steptokoke, baktere të ndryshme, ku hynë virus të ndryshëm të cilët barten përmes ushqimeve… Nëse nuk është bërë menaxhimi i duhur i mbeturinave, atëherë kemi problem me sëmundjet e ndryshme si hepatiti B, hepatiti C, sëmundje të ndryshme do të thotë të cilat barten përmes gjakut dhe produkteve të gjakut”, sqaron Gashi.