Një 16 vjeçar në fshatin Dubravë të Istogut ka mbetur aksidentalisht i plagosur në kokë, nga një zyrtar policor i cili ka qenë familjar i viktimës.
Viktima është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dhe gjendja shëndetësore e tij vazhdon të jetë e rëndë.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla ka bërë të ditur për Telegrafin se viktima i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjike gjatë ditës së sotme, por se gjendja e tij vazhdon të mbetet e njëjtë.
“Ka përfunduar një intervenim kirurgjik gjatë ditës së sotme, gjendja e pacientit mbetet e njëjtë, shumë e rëndë. I njëjti është transferuar në Mjekim Intensiv në Klinikën e Pediatrisë”, ka thënë Syla.
Ndryshe Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare.
“Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”, kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, thuhej në njoftimin e IPK-së./Telegrafi/