Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Gjakovës.
Një vajzë me probleme mendore dyshohet se ka mbytur prindin e saj.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.
“Sot rreth orës 12:00 në rrugën ‘Sabrije Vokshi’ në Gjakovë, brenda në shtëpi, nga kujdestarja familjare është gjetur pa shenja jete personi M.R. lindur në vitin 1933. Pranë trupit të viktimës ishte e shtrirë vajza e tij, T.R. lindur në vitin 1962 e cila është me të meta mentale. Rastit i janë përgjigjur njësitë policore dhe urgjenca mjekësore dhe mjeku ka konstatuar vdekjen. Viktima kishte lëndime në kokë dhe dorë, por lëndime kishte dhe vajza dhe për këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm se si vrasëse potenciale mund të jetë vajza. E njëjta është hospitalizuar në spitalin ‘Isa Grezda’ në repartin psikiatrik. Me vendim të prokurorit të dyshuarës i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, konfirmoi Xhurkaj për Telegrafin.
Xhurkaj tha se trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion./Telegrafi/