Site icon Telegrafi

Gjendet i vdekur një 48-vjeçar brenda kishës në Vushtrri

Foto: Ilustrim

Një person me inicialet S.Ç, 48-vjeçar është gjetur i vdekur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 22:58 brenda hapësirave të objektit të kishës ortodokse në Vushtrri.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Sipas tij, rasti është raportuar në polici nga familjarët e viktimës, të cilin e kanë gjetur brenda objektit banues në hapësirat e objektit fetar ortodoks në Vushtrri.

Zahiti po ashtu tha se në vendin e ngjarjes është gjetur një pistoletë.

“Mbrëmë rreth orës 22:58, nga ana e familjarëve të viktimës është raportuar se brenda objektit banues që ndodhet brenda hapësirave të objektit fetar ortodoks në Vushtrri, është gjetur pa shenja jete viktima S. Ç., mashkull i moshës 48-vjeçar. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit pistoletë. Hetuesit policor me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit. Me urdhër prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, ka thënë Zahiti.

Siç merr vesh Telegrafi viktima është i kombësisë serbe dhe është popi i objektit fetar ortodoks në Vushtrri. /Telegrafi/

Exit mobile version