Një person nga Dragashi ka humbur jetën në një liqen të Maqedonisë së Veriut, që gjendet në kufi të bjeshkëve të Sharrit.
Ai bashkë me dy shokë të tij të premten hynë në liqe për t’u larë, por nuk kishte arritur të dilte.
Për këtë rast, policia maqedonase e ka gjetur sot trupin e pajetë të të riut pasi ishte informuar për rastin tragjik.
Në lidhje me rastin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, për Telegrafin ka thënë se autoritet e Kosovës do t’i ndërmarrin veprimet që kanë competence për të ofruar bashkëpunim që kërkohet në sqarimin e këtij rasti.
“Me datën 28.08.2020 rreth orës 14:20 është pranuar informacioni se disa persona kishin shkuar te liqenet për rekreacion, zonë kufitare me Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, njëri nga ta siç thuhet ishte futur në liqe për t’u freskuar dhe nuk kishte dalë më. Menjëherë është njoftuar stacioni policor në Dragash, si dhe autoritete maqedonaso-veriore, pasi që dyshohet që liqeni që potencohet ndodhet në territorin e tyre dhe me rastin të procedojnë autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Policia e Kosoves ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr veprimet e nevojshme që bien në fushëveprimin dhe kompetencën tonë për të ofruar çdo bashkëpunim apo ndihmë që kërkohet në sqarimin e këtij rasti”, ka thënë Hoxha. /Telegrafi/