Telegrafi

Gjendet i pajetë pronari i një agjencie biletarie në Vlorë, familjarët: Është vrarë. Policia: U aksidentua

Pronari i një agjencie biletarie pranë portit të Vlorës është gjetur i pajetë mëngjesin e kësaj të hënë (21 gusht). Viktima është identifikuar si Nadir Gjata 63 vjeç, ndërsa biznesi i tij ndodhej në zonën e njohur si “Kapelja” në portin e Vlorës.

Familjarët pretendojnë se ai është vrarë pasi, sipas tyre, viktima kishte marrë një goditje në kokë, ndërsa po ashtu i mungonte edhe çanta që ai kishte me vete, ku kishte siguruar lekët e xhiros ditore.

Por Policia, në një njoftim për mediat, bën me dije se 63-vjeçari është përfshirë në një aksident. Ai dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit për shkaqe shëndetësore, ku më pas makina e tij është përplasur me një taksi dhe për pasojë 63-vjeçari ka humbur jetën.

Sipas Policisë, nga këqyrja paraprake e trupit, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë  të rrethanave të ngjarjes, si dhe po bashkëpunohet me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 63-vjeçarit.