Telegrafi

Gjendet një foshnje e vdekur afër parkut në Prizren, policia nis hetimet për vrasje

Foto: Ilustrim

Një foshnje e porsalindur është gjetur pa shenja këtë të shtunë në afërsi të Parkut të Qytetit në Prizren.

Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës si “Vrasje e foshnjës së porsalindur”.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Policia në Prizren ka pranuar një informatë se në afërsi të Parkut të Qytetit, nga një dëshmitar okular, gjendet një trup i pajetë që bëhet fjalë një foshnjë. Reagimi policor ka qenë i menjëhershëm, njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai.

Gashi tutje ka bërë të ditur se është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i Emergjencës ku mjeku ka konstatuar vdekjen e foshnjës. Me këtë rast po merren hetimet rajonale dhe po trajtohet si ‘Vrasje e foshnjës së porsalindur’, në konsultim me Prokurorin e Shtetit kështu do të fillojnë hetimet dhe po trajtohet si rast i kësaj natyre”, ka shtuar ai. /Telegrafi/