Telegrafi

Gjenden eshtra në veri të Kosovës, fillojnë ekzaminimet mjekoligjore

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se qytetarët kanë hasur në eshtra (mbetje mortore) në veriun e Kosovës, në Mitrovicë.

Pas njoftimit nga Policia e Kosovës, ekipi mjekoligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të tërhequr këto mbetje mortore.

Eshtrat janë dërguar për ekzaminime mjekoligjore të mëtejshme, me qëllim të verifikimit dhe konstatimit të tyre.

Komisioni ka bërë të ditur se do të informojë publikun pas përfundimit të procesit të verifikimit nga IML, nëse këto eshtra kanë rëndësi forenzike dhe nëse potencialisht mund t’i përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur gjatë luftës.

Ky zbulim mund të hedhë dritë mbi fatin e disa prej personave të zhdukur, një çështje që mbetet e dhimbshme për familjet e të pagjeturve dhe për tërë shoqërinë kosovare. /Telegrafi/