Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka gjetur armë, mjete eksploduese dhe pajisje të tjera gjatë bastisjeve të kryera sot në veri të Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, ka thënë për Telegrafin se bastisjet janë kryer në shtatë lokacione të ndryshme në veri.
Sipas tij. këto mjete janë gjetur në një podrum, tek lagja e “Tre Rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës.
“Po sot gjatë bastisjes janë gjetur armë, mjete eksploduese dhe pajisje të tjera tek ‘Tre rrokaqiejt'”, në veri”, ka thënë Elshani.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terroristësh më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrimi Bunjaku.
Pas sulmit ndaj Policisë, rreth 30 serbë, të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në manastirin në Banjskë për disa orë, atyre iu kërkua nga Policia e Kosovës që të dorëzoheshin, por ata refuzuan të bëjnë një veprim të tillë ku edhe vazhduan sulmet me armë ndaj policisë, nga gjuajtjet me armë mbetën të vrarë tre sulmues. /Telegrafi/