Telegrafi

Gjenden 182 fidanë kanabisi në Fier, në pranga 49-vjeçarja

Janë asgjësuar 182 fidanë narkotikë cannabis sativa në Fier të mbjellë në kubikë. Policia bën me dije se në pranga ka rënë një 49-vjeçare dhe është shpallur në kërkim bashkëshorti i saj pasi kanabisi është gjetur në banesën e tyre.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të detyrave të marra në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, që në fazë fillestare, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe kanë goditur në kuadër të operacionit policor të koduar “Kreshpan”, një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasja P. Y., 49 vjeçe, si dhe u shpall në kërkim bashkëshorti i saj shtetasi D. Y., 51 vjeç (alias S. Y., alias K. Y.)”, njofton policia.

Gjithashtu, në banesën e këtyre shtetasve u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu që mbahej pa leje.

Vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasit D. Y.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/