Telegrafi

Zyrtare: Gjelbrim Taipi nënshkruan për Grasshopperin

Grasshopper Club Zurich e ka transferuar mesfushorin shqiptar, Gjelbrim Taipi.

25-vjeçari do të kalojë te klubi i tij i ri nga FC St.Gallen 1879, ku u angazhua në fillim të sezonit 2017/2018.

Me Grasshopperin, ai ka nënshkruar kontratë prej dy vjet e gjysmë.

(Foto: gcz.ch)

“Nga sot jam pjesë e skuadrës së Grasshopper për dy vjet e gjysmë të ardhshme. Është kënaqësi të jesh pjesë e kësaj skuadre më të trofeshme në kampionatin zviceran”.

Lexo po ashtu Ekskluzive/ Tjetër futbollistë nga Lugina e Preshevës do të luaj me Përfaqësuesen, Gjelbrim Taipi i gatshëm për Kosovën

“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që ma keni dhënë deri tani, si në momentet e mira, ashtu edhe në ato të vështirat”, ka shkruar 25-vjeçari në Facebook.

Para e të luante për St.Gallenin, Taipi ka veshur edhe fanellën e FC Schaffhausen, ku kishte shënuar tre gola dhe kishte dhuruar pesë asistime në 16 paraqitje.

“Jemi shumë të lumtur për angazhimin e Gjelbrimit. Ai është një lojtar i zgjedhur nga trajneri jonë, Murat Yakin dhe ka luajtur nën urdhrat e tij në të kaluarën’.

“Gjelbrimi do t’i sjellë shumë kreativitet mesfushës sonë”, ka deklaruar drejtori sportiv i Grasshopperit, Mathias Walther.

Në të kaluarën, mesfushori ka luajtur edhe për Shkëndijën e Tetovës (2011-2013). Taipi e ka përfaqësuar edhe Shqipërinë U-21 në periudhën 2012-2014. /Telegrafi/