Telegrafi

Gjatë vjeshtës mund të ndodhë të shtohen dhimbjet e kokës

(Foto: Pexels)

Njerëzit që vuajnë rregullisht nga dhimbjet e kokës apo migrena, e dinë mjaft mirë rolin e ushqyerjes apo stresit në frekuencën dhe ashpërsinë e tyre.

Një faktor tjetër, shpesh i anashkaluar, është ndryshimi i stinës – transmeton AgroWeb.org.

Shumë njerëz thonë se me ardhjen e vjeshtës, dhimbjet e kokës bëhen më të shpeshta dhe më të forta.

Ky nuk është thjesht një perceptim, sepse shkencëtarët pohojnë që ka disa arsye përse dhimbjet e kokës bëhen më të forta në vjeshtë.

Lexo po ashtu Ushqimet që mund ta nxitin migrenën dhe llojet tjera të kokëdhimbjes

Prania e alergjenëve në ajër

Alergjenët janë ndër shkaktarët më të përhapur të migrenës dhe dhimbjeve të kokës.

Në vjeshtë, ka alergjenë të caktuar në ajër që ndikojnë në sasinë e histaminës në trup, e cila në vetvete shkakton inflamacion në sinuse dhe nxit dhimbjen e kokës.

Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që ajri i shtëpisë të jetë sa më i pastër dhe ndërresat të jenë të pastra dhe të një materiali që lejon qarkullimin e ajrit.

Ndryshimet në ciklin e dritës

Dhimbjet e kokës mund të jenë më të shpeshta në vjeshtë për shkak të shkurtimit të ditës dhe ndryshimeve në rutinën e gjumit.

Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të zbatoni një rutinë shumë të përpiktë gjumi pavarësisht mungesës së dritës apo tejzgjatjes së errësirës.

Lexo po ashtu Katër efektet e vjeshtës që ndikojnë në mënyra të ndryshme

Faktorë të tjerë nxitës të dhimbjeve të kokës

Veç dritës, dy faktorë të tjerë nxitës të dhimbjeve janë presioni i ajrit, lagështia dhe luhatjet e temperaturës.

Ndryshimet e motit mundet gjithashtu të prishin ekuilibrat e substancave kimike në tru, përfshirë serotoninën, gjë që nxit shfaqjen e migrenës.

Monitorimi i ndryshimeve të motit dhe shmangia e shkaktarëve sa më shumë që të jetë e mundur, është këshilla e parë që japin ekspertët.

Sipas tyre, njerëzit e predispozuar të përjetojnë dhimbje të tilla, duhet të marrin ilaçin që në shenjat e para të dhimbjes.

Një stil i shëndetshëm jetese, pra me ushqyerje të rregullt e të pasur me vitamina, minerale e antioksidantë, pirja e ujit, aktiviteti fizik dhe gjumi i mirë, janë faktorë që ju ndihmojnë në lehtësimin e këtyre dhimbjeve.

Lexo po ashtu Rraskapitja, kokëdhimbja dhe dhimbjet tjera po bëhen më të zakonshme për shkak të ndryshimeve të motit!