Telegrafi

Gjashtë të vdekur në komunikacion në gusht, për një ditë shqiptohen dymijë gjoba (Video)

Me vdekjen e sotme në një aksident trafiku që ndodhi në Komunën e Podujevës, shkon në gjashtë numri i personave që humbën jetën vetëm gjatë 17 ditëve të këtij muaji.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rritje së paku për dy persona.

Policia deklaron se shifrat hiç më të mira nuk janë as për muajin korrik dhe gjysmën e dytë të qershorit.

Nga e hëna deri të enjten e kësaj jave, janë shqiptuar 8,116 gjoba trafiku apo mesatarisht nga 2,000 tiketa për 24 orë. Ndërkohë, në total kanë ndodhur 176 aksidente pa të lënduar e në 86 të tjera u desh intervenim mjekësor.

Kjo situatë e rëndë në rrugët e Kosovës, ka bërë që me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë, të krijohet TASK Forca e cila po merret vetëm me sigurinë në trafik

Toger Bajram Krasniqi, zyrtar për media në policin e Kosovës, tha për RTK se Policia e Kosovës bën analizat dhe referuar gjashtëmujorit të parë të këtij viti, shkaktari kryesor me 18.6 për qind të aksidenteve është manipulimi jo i sigurt me automjete, pasuar nga mospërshtatja e shpejtësisë më 17.2 për qind dhe e treta mos mbajtja e distancës ndërmjet automjeteve me 15.2 për qind.

Policia deklaron se krahasuar me muajin gusht të vitit 2016 kur kishin shqiptuar për 17 ditë, 16 mijë gjoba trafiku, për periudhën e njëjtë gjatë këtij viti janë shqiptuar 32 mijë të tilla.