Themelimi i komisionit ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë, që do të vlerësojnë procesin e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, gjatë kësaj jave ka gjasa t’i dorëzoj Presidentes raportin vlerësues për procesin në fjalë.
Tre ekspertët, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania e Madhe, kanë përfunduar fazën e bisedave me akterët politikë dhe institucionalë për procesin e demarkacionit në Kosovë, dhe për momentin ndodhen në Mal të Zi.
Mirëpo, profesori i gjeografisë në UP, Florim Isufi i cili ishte mjaft aktiv me hulumtimet e tij hartografike për shënimin e kufirit, mbetet skeptik për një zgjidhje të duhur nga ky Komision, sepse sipas tij është koha e shkurtër për verifikimin e gjithë këtij materiali dhe është marrëveshja e ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi.
Isufi në një bisedë për KosovaPress tha se do të ishte me rëndësi që të nxirret një vendim i cili do të jetë i pranueshëm për të gjithë.
Ai tha se edhe në aspektin shkencor hartografik nuk ia ka mbushur syrin ky Komision, ngase në këtë grup është vetëm një gjeodet i cili merret me gravitet, e jo tipik hartograf, me çka do të vlerësonte më në detaje këtë proces.
“Presidentja e vendit do të duhej të angazhonte ekspertë të rëndësishëm të universiteteve të botës që merren me lëmin e ngushtë të demarkacionit”, konsideron profesor Isufi.
Përndryshe, ai tha se këtij Komisioni të përbërë prej një diplomati, një gjeodeti dhe një polici kufitar, i kanë ofruar të gjitha argumentet dhe materialet hulumtuese për kufirin e përfolur dhe problematik.
“Ne kemi pasur dy takime të gjata me Komisionin, iu kemi ofruar të gjithë materialin e duhur të cilin ne e kemi siguruar prej institucioneve më kredibile të të gjitha kohërave. Tash i mbetet Komisionit që ta shqyrtoi atë material dhe të nxjerr një përfundim të caktuar. Unë personalisht jam pak skeptik, arsyeja është se koha është e shkurt për verifikimin e gjithë këtij materiali, pastaj takimet edhe me palën malazeze, ratifikimi i marrëveshjes nga Kuvendi i Malit të Zi, etj”, tha Isufi për KosovaPress.
KosovaPress merr vesh se gjatë kësaj jave do të duhej të përfundonte afati për dorëzimin e raportit vlerësues për kufirin Kosovë-Mali i Zi nga Komisioni ad-hoc ndërkom bëtar. Ky raport do t’i dorëzohet Presidentes.