Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski prej nesër deri të premten është i ftuar tre herë në Gjykatën themelore Shkupi 1, dy herë në sallën e gjykatës për akuzat e PSP-së dhe njëherë në sportel, si pjesë e masave të kujdesit të dhëna nga Gjykata e Apelit.
Gruevski do të shkojë në gjykatë për një lëndë të re të PSP-së, por edhe në vazhdimin e procesit gjyqësor për shuplakat e porositura për ish kryetarin e Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
Përveç Gruevskit, në karrigen e të akuzuarit duhet të ulen edhe ish-ministri për transport dhe lidhje, Mile Janakievski, ish-zv.kryeministri, Vlladimir Peshevski dhe gazetari Dragan Pavlloviq-Llatas.
Gjykimet për lëndët e PSP-së gjatë javës që vjen do të fillojnë me procesin gjyqësor për rastin “Totall”, në të cilën është i akuzuar Dragan Pavlloviq-Llatas për shmangie tatimi. Pas tij, për lëndën e re të PSP-së duhet të paraqiten Gruevski, Janakieski dhe Peshevski.
Fillimi i procesit gjyqësor për lëndën “Traektorja”, që ka të bëjë me keqpërdorime gjatë ndërtimit të rrugëve Milladinoc-Shtip dhe Tetovë-Ohër, është caktuar për ditën e mërkurë./Telegrafi/