Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit lidhur me “Menaxhimin e trafikut rrugor në Kryeqytet”.
Inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe është përqendruar në stacionet policore të Prishtinës (Qendër, Jugu dhe Veriu), si dhe Njësinë e Trafikut për Kryeqytetin, në kuadër të Drejtorisë Rajonale Policore të Prishtinës.
Inspektimi ka qenë me interes për IPK-në, me qëllim që të vlerësohet nëse stacionet dhe njësitë përkatëse të trafikut janë duke realizuar me sukses objektivat për të siguruar rrjedhë normale dhe të sigurt të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve në Kryeqytet. Gjithashtu, inspektimi ka ofruar një mundësi për t’u njohur me performancën e këtyre njësive policore në fushën e trafikut rrugor.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë operativ.
IPK në kuadër të Raportit ka dhënë gjashtë rekomandime, që kanë të bëjnë me shtimin e aktiviteteve patrulluese në akset që shfaqin vështirësi në qarkullimin rrugor në Kryeqytet, adresimin e parkingjeve të parregullta në vendet e ndaluara, përmirësimin e cilësisë së logut operacional, shkurtimin maksimal të kohës së reagimit të njësive patrulluese, reagimin e shpejtë për të gjitha thirrjet e pranuara dhe shtimin e patrullimeve me automjete në zonat e përgjegjësisë së stacioneve.
Në raport po ashtu thuhet se koha mesatare e reagimit në thirrjet e qytetarëve është 17.5 minuta.
Në mesin e rekomandimeve thuhet se IPK-ja u rekomandon komandantëve të stacioneve policore të Prishtinës dhe Udhëheqësit të Njësisë së Trafikut për Kryeqytetin të mobilizohen në shtimin e aktiviteteve patrulluese në asket kryesore të kryeqytetit që shfaqin vështirësi në qarkullim normal të komunikacionit rrugor.
Po ashtu, një tjetër rekomandim thotë se komandantët e stacioneve policore duhet të nxisin njësitë patrulluese në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme operative ndaj ngasësve të mjeteve që parkojnë mjetet në mënyrë të parregullt në vendet e ndaluara ( veçanërisht në trotuaret e dedikuara për këmbësorë.
Ndërkaq, në rekomandimin e tretë thuhet se IKP rekomandon komandantët të stacioneve dhe shefave të operativës, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme mbikëqyrëse mbi zyrtarët e bazave të radio-komunikimit, për përmirësimin e cilësisë së logut operacional, drejt eliminimit të mangësive për evidentimin e plotë të shënimeve brenda tij.
Raportin e plotë të publikuar nga Inspektorati Policor mund ta gjeni duke klikuar KËTU./Telegrafi/