Telegrafi

Shkon në 130 numri i vdekjeve nga coronavirusi në Kosovë

Në 24 orët e fundit në Kosovë kanë vdekur 6 pacientë të infektuar me coronavirus, duke çuar në 130 numrin e përgjithshëm të viktimave me COVID-19.

Po ashtu në 24 orët e fundit janë regjistruar 145 raste të reja, ndërsa janë shëruar 171 pacientë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi tha se në gjithë vendin po trajtohen 492 pacientë që janë me coronavirus ose dyshohen se janë të infektuar.

Nga ky numër, 225 pacientë po trajtohen në klinikat e Qendrës Klinike Universitare dhe 275 të tjerë në spitalet rajonale.

Sipas Krasniqit, 35 pacientë po ndihmohen nga respiratorët për të marrë frymë, 13 të tjerë janë të intubuar, gjë që sipas tij, bën që ata të konsiderohen se janë në gjendje kritike. Ndërkaq, 260 persona të tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi, njofton Telegrafi.