Site icon Telegrafi

Gjarpërinj helmues në Parkun e Gërmisë, apelohet te qytetarët për kujdes

Foto: Arkiv

Në Parkun e Gërmisë kohëve të fundit po hasen gjarpërinj helmues, të cilët janë të rrezikshëm dhe po shqetësojnë qytetarët e Prishtinës.

Një video të cilën qytetarët e kanë dërguar në redaksinë e Telegrafit, shihen gjarpërinjtë helmues të cilët janë paraqitur në këtë park.

Fatime Hajdari nga Drejtoria e parqeve në Komunën e Prishtinës tha për Telegrafin se paraqitja e gjarpërinjve në Parkun e Gërmisë në këtë kohë nuk është e pazakonshme, pasi është periudha e vitit kur gjarpërinjtë hasen më shumë.

“Parku i Gërmisë shquhet për florën dhe faunën e pasur të tij, ku pashmangshëm bëjnë pjesë edhe gjarpërinjtë. Këtë vit nuk ka asnjë zhvillim të pazakontë sepse ne jemi brenda periudhës kur gjarpërinjtë helmues por dhe johelmues hasen më shumë”, tha Hajdari për Telegrafin.

Ajo bëri apel tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes dhe veçanërisht të mos i trazojnë gjarpërinjtë dhe gjallesat e tjera, kurdo që të dalin në Parkun e Gërmisë.

“Qytetarët që do të frekuentojnë Gërminë pasi të hapet parku me vendim të institucioneve nuk kanë nevojë të shqetësohen. E rëndësishme është që gjatë qëndrimit në park të mos mungojë kujdesi, vëmendja e shtuar dhe mos-trazimi i gjarpërinjve dhe gjallesave të tjera”, tha Hajdari. /Telegrafi/

 

Exit mobile version