Po vazhdojnë ndihmat për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Përpos qytetarëve, dhe Qeverisë së Kosovës e cila dje ndau 500 mijë euro, ndihma financiare janë duke ndarë edhe komunat e Kosovës.
Komuna e Gjakovës ka ndarë 14 mijë euro si ndihmë për zonat e dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri.
“Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini në bazë të kompetencave nxjerr këtë vendim për dhënien e mjeteve financiare në vlerë 14,000€ nga Komuna e
Gjakovës për ndihmë për zonat e dëmtuara nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.
Mjetet e ndara do të derdhen në xhirollogarinë e hapur nga Shqipëria për fatkeqësi natyrore.
Edhe komuna e Mitrovicës, në mbledhjen e mbajtur sot me propozim të kryetarit Agim Bahtiri ka marrë vendim për ndarjen e 20 mijë euro për Shqipërinë.
Edhe komuna e Obiliqt ka nisur grumbullimi i pakove ushqimore për t’i dërguar në Shqipëri, pas tërmetit të fuqishëm i cili shkaktoi viktime në njerëz dhe dëme materiale.
Me këtë rast kryetari i komunës, Xhafer Gashi, ka vizituar vendin ku po mblidhen këto pako për ta përkrahur këtë aksion.
“Organizimi i qytetarëve dhe tifozëve të FC KEK-ut, të cilët edhe janë organizator të këtij aksioni, të lë pa fjalë! Ju lumtë!”, tha ai. /Telegrafi/