Olivier Giroud këtë vit është bashkuar me Milanin, por në vitin 2020 ka pasur ofertë nga Juventusi.
Sulmuesi francez ka zbuluar se kishte refuzuar Juventusit, kur Zonja e Vjetër udhëhiqej nga Andrea Pirlo në vitin 2020.
Giroud tha se nuk është penduar që ka refuzuar Juventusin, pasi qëndrimi te Chelsea bëri që ta fitoj Ligën e Kampionëve me klubin londinez.
“Po, ndodhi në verën e vitit 2020, me Pirlon si trajner, por unë preferova të qëndroja te Chelsea ku doja të luaja shanset e mia. Duke pasur parasysh se si përfundoi sezoni me fitoren në Ligën e Kampionëve, them se mora vendimin e duhur për të qëndruar në Londër dhe që refuzova ofertën e Juventusit”, u shpreh Giroud.
Milan dhe Juventus do të përballen në San Siro të dielën mbrëma dhe Giroud ka folur për këtë sfidë.
“Pas humbjes të hënën, ne filluam të shikojmë përpara përsëri. Sigurisht që kemi analizuar gabimet e bëra për t’u përmirësuar edhe më shumë, por në futboll pas një rezultati negativ nuk mund të viktimizohesh, duhet të kthesh faqen dhe të fillosh menjëherë ringritjen”.
“Tani, përqendrimi maksimal është te Juventusi. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe na duhet një paraqitje më e mirë se ajo kundër Spezias. Ne e dimë këtë gjë”, deklaroi Giroud.
Pas 22 xhirove në Serie A, Milani ndodhet në vendin e dytë në tabelë me 48 pikë, derisa Juventusi është e pesta me shtatë pikë më pak. /Telegrafi/