Telegrafi

Giresse flet pas fitores ndaj Qipros: Ndeshje e mirë që na jep vetëbesim, tani duhet të përgatitemi për Greqinë

Alain Giresse në konferencë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Kosova e ka nisur për mrekulli kampanjën e re në Ligën e Kombeve, me fitore në udhëtim te Qipro 0-2.

Dardanët u paraqitën me dy fytyra në këtë ndeshje, ku pjesa e parë i takoi vetëm vendasve që dominuan, derisa e dyta futbollistëve tanë.

Megjithatë të rëndësishme ishin tri pikët dhe Kosova arriti t’i marrë ato që i deshi.

Trajneri i Kosovës, Alain Giresse ka folur pas ndeshjes ku tha se ishte e komplikuar, por që në fund bënë atë që ishin të aftë ta bëjnë.

“Një ndeshje shumë e komplikuar, sidomos gjatë pjesës së parë. Orientimi i lojës tonë nuk ishte i mirë, bëmë disa gabime teknike. Në pjesën e dytë tentuam të fokusoheshim në principet tona për të ndryshuar lojën dhe të bëjmë atë që jemi të aftë të bëjmë”, tha Giresse.

Duke marrë parasysh se pjesa e parë ishte e dobët, Giresse tregoi se çfarë i tha futbollistëve mes pjesëve.

“Kërkova nga lojtarët që të ri-pozicionohen në fushë, tentuam të luajmë nga krahët, mesi i fushës ishte shumë i ngarkuar. Nuk e kam pëlqyer pjesën e parë të lojës. E dimë pse, duhet të mbështetemi në lojën e pjesës së dytë”, deklaroi Giresse.

Krejt në fund trajneri francez deklaroi se ishte një rezultat i mirë që i jep vetëbesim për ndeshjen ndaj Greqisë.

“Rezultat i mirë, na dhuron vetëbesim. Duhet të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen e radhës, ndaj Greqisë”, deklaroi trajneri francez.

Ndeshjen e radhës Dardanët e zhvillojnë të dielën në ‘Fadil Vokrri’ ku presin Greqinë. /Telegrafi/