Telegrafi

Gëzim Mehmeti kandidat i AKR-së për kryetar të Prishtinës

Gëzim Mehmeti është kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli.

“Është dënim i pamerituar, nuk e kemi merituar as ne e as votuesit tanë që të largohet nga kandidimi z.Selim Pacolli. Mos-deklarimi me kohë i pasurisë nuk është delikt i madh, ai për çdo vit e ka deklaruar pasurinë, e një vit është vonuar një ditë, nuk është akt [për tu sanksionuar në këtë mënyrë. Ne pasi u gjendëm në këtë situatë, vendosëm që Gëzim Mehmeti të jetë kandidatë i yni për kryetar të Prishtinës”, tha Makolli për Telegrafin.

Ndryshe, Selim Pacolli nga AKR nuk do të garojë për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit, kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar kandidaturën e tij, bazuar në një aktvendim të vitit 2019, pasi ai kishte bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas afatit.

Lexo po ashtu Selim Pacolli nuk do të garojë për kryetar të Prishtinës, KQZ nuk e certifikon kandidaturën e tij

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Pacolli, përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur këtë vendim arbitrat dhe të palogjikshëm.

“Sapo mora lajmin se KQZ nuk do ta certifikoj kandidaturën time për kryetar të Prishtinës.”

“Kjo si pasojë e një aktvendimi të vitit 2019, unë kam bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim, (përfshirë ditët e vikendit)”, ka shkruar Pacolli në Facebook, transmeto Telegrafi.

“Me saktë, afati ishte të Premten, ndërsa deklarimi të Hënën, në orën 8 të mëngjesit në prezencën time fizike. Kjo vonesë ka ndodhë si pasojë e udhëtimit tim për çështje shëndetësore jashtë vendit.”

Ai e ka komentuar vendimin sit ë palogjikshëm, megjithatë ka thënë se do ta respektojë.

“Edhe pse në esencë ky është një vendim arbitrar dhe i palogjikshëm, vendimet e gjyqësorit janë të shenjta dhe të padiskutueshme.”

“U betohem që edhe pse nuk do të jem zyrtarisht kandidat për kryetar të Prishtinës, dëshira dhe angazhimi im për qytetarët e Prishtinës është edhe më i madh. Unë do të ju qëndroj besnik dhe do ti mbështes ne çdo hap të gjithë kandidatët e listës sonë për kuvendin komunal, e në veçanti kandidatin e subjektit tim AKR për kryetar të Prishtinës”, ka shkruar Pacolli. /Telegrafi/