Site icon Telegrafi

Gëzim Kelmendi: Sipas planit të PDK-së, me demarkacionin vendi shkon në zgjedhje (Video)

Kërkesa e presidentit Hashim Thaçi për ta ratifikuar sa më shpejtë në Kuvend marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për deputetin e pavarur Gëzim Kelmendi është kërkesë sfiduese dhe e ndjeshme për deputetët.

“Në rast që marrëveshja aktuale e demarkacionit sillet në Kuvend, vota ime do të jetë kundër”, ka deklaruar Kelmendi, në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel.

Ndonëse vota e Kelmendit do të jetë kundër, ai ka mohuar t’i bashkohet protestave të mundshme të paralajmëruara nga opozita për ta penguar ratifikimin e marrëveshjes.

Ai thotë se do të jetë pikërisht çështja e demarkacionit ajo që do ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Marrëveshja e demarkacionit mund të jetë një mollë sherri mes partnerëve të koalicionit dhe druaj që kjo marrëveshje mund ta çojë edhe vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme të planifikuara nga partnerët qeverisës, ngase nuk parashihet se kjo qeveri do ta ketë mandatin deri në fund”, ka thënë Kelmendi, që është edhe kryetar i partisë së re politike Fjala.

Ai thotë se partnerët qeverisës duhet ta gjejnë një argument pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe tani është momenti më i përshtatshëm i tyre, konkretisht i PDK-së, që të mos ratifikohet marrëveshja.

Exit mobile version