Lideri i Babastars, Getoar Selimi, ka konfirmuar se diçka ka ndryshuar në ‘label’ kohëve të fundit.
Ai ka thënë se ‘labeli’ nuk është si më parë, si në kohërat e arta të “High 1”, “High 2” dhe “High 3”.
Ai i referohet vetes si themelues i labelit, duke hedhur poshtë deklaratat e Skivit dhe Cozman se ata janë bashkëthemelues të laelit.
“Babastars ka qenë në fillim Baba Records, e krijuam unë dhe Dardan Belegu. Kemi marrë artistët e parë dhe kemi punuar këngët e tyre. Të parët kanë qenë Kaos, Skillz etj. Pas kësaj periudhe ndërruam e bëmë Babastars. Ka pas artistë që u larguan, por që nuk mund të them u larguan apo i hoqëm sepse nuk jemi zënë”, theksoi Geti.
Duke folur për situatën aktuale të labelit, ai tha se tash kanë ndryshuar shumë gjëra.
“Më pas erdhi një periudhë krejt tjetër që ndërruan shumë gjëra. Jo të gjithë e ndjenë veten pjesë të një grupi në këtë rast Babastars ose ka njerëz që e ndjejnë veten Babastars pa qenë artist fare. Ne jemi duke vazhduar punën, unë, Majku, Onati e Jungle”, shtoi ndër tjerash Geasy.
Duke folur për repin në të kaluarën dhe sot, ai potencoi se më parë nuk është vlerësuar aq sa duhet.