Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaoiu ka vlerësuar se kompanitë si “Relux” janë dëshmi më e forte se sektori privat është vënë në binarë dhe se nuk ka kthim mbrapa.
Këtë deklaratë kreu i asociacionit më të madh të komunitetit të biznesit në Kosovë e tha me rastin e fillimit të eksportit të ngjyrave për Gkermani nga kompania “Relux”.
Ai vlerësoi se kjo është shenj e mirë, sepse bizneset vendëse po i plotësojnë standardet ndërkombëtare të cilësisë së mallrave për t’i eksportuar në vendet e BE-së.
“Sot është një ditë e një rëndësie të veçantë. Një ditë që promovohet fuqia e sektorit privat, promovohet standardi i prodhimeve ‘Made in Kosova’, por mbi të gjitha promovohet një frymë e re e dialogut publiko privat ku do të thotë të gjithë jemi pjesë e procesit. Është koha ku Kosova t’i ketë laboratorët e vet”, tha Gërxhaliu.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se kjo është shenja më e mirë që bizneset vendëse po i plotësojnë standardet për të eksportuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
“Kjo është shenja më e mirë që bizneset tona po i plotësojnë standardet ndërkombëtare të cilësisë së mallrave për t’i eksportuar në vendet e BE-së. Ne jemi munduar qe dy vjet që t’i ndërmarrim disa politika fiskale bashkë me OEK, në fakt shumica e propozimeve kanë qenë nga OEK-u dhe po më vjen shumë mirë që tash po e shohim efektin final të këtyre politikave”, tha Hoti.
Pronari i kompanisë “Relux”, Ramiz Gashi tha se kjo është një dëshmi se edhe në Kosovë ka produkte me standarde të larta të cilat nuk ka nevojë të importohen.
“Kjo është hera e parë që po bëjmë një eksport për shtetin e Gjermanisë, kemi bërë marrëveshje me një firmë gjermane për dhjetë vitet e ardhshme, që do ta mbulojmë tregun gjermano-austriak me ngjyrat tona. Dita ditës jemi duke e mbuluar edhe tregun e Kosovës. Sot me prezencën e ministrit është një dëshmi që e kemi përkrahjen e tyre” Kompania “Relux” merret me prodhimin e ngjitësit dhe rrafshuesit të stiroporit, ngjyrës së brendshme dhe të jashtme e fasadave. /Telegrafi/