Site icon Telegrafi

Gërxhaliu: Migrimi për shkak të dështimit të Europës në Kosovë

Të getoizuar në Kosovë për shkak të mos-liberalizimit të vizave janë vetëm shqiptarët, ka thënë në një prononcim për Radio Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu. Sipas tij, serbët dhe boshnjakët e Kosovës janë të lirë të lëvizin, sepse kanë nënshtetësi të Serbisë, përkatësisht të Bosnjë e Hercegovinës.

Ndër shtytësit kryesorë të migrimit sipas Gërxhaliut është mos-liberalizimi I vizave, e cila po godet kryekëput shqiptarët.

“Po ndiej obligim moral që të qartësojmë se të getoizuar në Kosovë janë vetëm shqiptarët, e them këtë bazuar në faktin se shumë qytetarë të nacionalitetit serb kanë nënshtetësinë serbe dhe kanë mundësinë e lëvizjes, një pjesë tjetër kanë mundësinë e Bosnjës, qoftë përmes Sanxhakut, qoftë përmes Bosnjës, një pjesë kanë mundësi tjera. Ata që kanë mbet të getoizuar janë vetëm shqiptarët, dhe vërtet kjo është një padrejtësi”, tha ai.

Emigrimi i qytetarëve të vendit është shqetësues për kreun e OEK-ut, Safet Gërxhaliu dhe për këtë ai fajëson Bashkimin Europia. “Ajo që është më shqetësuese është kategoria e tretë që ka të bëjë me migrimin e njerëzve intelektualë, të cilët edhe kanë punë, edhe mirëqenie, sepse arsyeja e migrimit e kësaj shtrese është në rend të parë dështimi i Europës në Kosovë për rend e ligj, pastaj Europa nuk e bëri atë çka din më së miri, e ai është zhvillimi ekonomik”, theksoi Gërxhaliu.

Në rastin e mos-liberalizmit të vizave, shumë më tepër ka dështua BE-ja, se sa Kosova thotë Gërxhaliu, duke marrë si shembull shtetet si Moldavia, Rumania apo Bullgaria të cilët kanë liberalizim të vizave por nuk qëndrojnë më mirë se Kosova as në aspektin e zhvillimit ekonomik e as në luftimin e korrupsionit. Sipas tij nuk duhet të dënohen qytetarët nëse në vend nuk është siguruar sundimi i ligjit, apo nuk është luftuar korrupsioni. /Telegrafi/

Exit mobile version