Buxheti për vitin 2024, i cili u miratua nga shumica parlamentare të enjten, është më shumë zgjedhor sesa zhvillimor, vlerëson njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.
Deputetët e mazhorancës kanë miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, që kap vlerën mbi 3.3 miliardë euro. Partitë opozitare nuk e kanë përkrahur atë, pasi sipas tyre, nuk është buxhet i mirëqenies qytetare. Ndërkaq kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka thënë se buxheti i miratuar është për 35 për qind më i lartë se ai aktual.
Por, i një mendimi me opozitën është edhe Gërxhaliu, i cili në një prononcim për Telegrafin tha se ky buxhet është i orientuar në politikë sociale.
“Shqetësuese në Kosovë është mungesa e një dialogu të mirëfilltë, qoftë në mes pozitës dhe opozitës, qoftë nga niveli qendror me atë lokal, e qoftë partneriteti publiko-privat”.
“Vetë fakti që sot Qeveria aktuale e ka shumicën, është ditë që ky ligj do të kalojë, mirëpo ky buxhet nuk mund të jetë zhvillimor, është shumë më tepër i orientuar në politikë sociale”, u shpreh ai.
Njohësi i ekonomisë më tej tha se e vetmja komponentë pozitive në këtë drejtim është orientimi në forcimin e sigurisë, mirëpo sipas tij, është anashkaluar zhvillimi ekonomik, implementimi i projekteve kapitale dhe mbështetja e sektorit privat.
“Lindë pyetja në qoftë se ky orientim qe sa vite vetëm në politikë sociale është prioritet i qeverisë aktuale, si mund të ketë Kosova kontinuitet të zhvillimit ekonomik? Si mund të ketë stabilitet social dhe a mund të shpëtohet ekonomia kosovare?”, janë pikëpyetjet që ngriti Gërxhaliu.
Ai u shpreh se në këtë drejtim nuk ka arsye për eufori, por shtoi se qytetarët duhet të brengosen se pse sektori privat dhe zhvillimi ekonomik nuk janë prioritet i kësaj qeverie.
“Kur e kemi parasysh faktin që buxheti është më tepër se 3 miliardë e 300 milionë euro dhe ky buxhet bëhet nga sektori privat, besoj që ky sektor në Kosovë e ka meritu një qasje më konkrete. Në qoftë se e analizoni buxhetin e ministrive që janë partnere, apo është dashur që të jenë partnere me sektorin privat dhe i shihni të ndarat e tyre buxhtore, është vërtet shqetësuese dhe tmerruese”.
Sipas tij, duke pasur parasysh edhe normën e inflacionit në vend, buxheti 2024 është më i ulët se ai aktual.
“Kur e kemi parasysh inflacionin, kur e kemi parasysh importin e inflacionit nga jashtë, atëherë ky buxhet në qoftë se krahasohet me vitin 2023 ka nuanca shumë të vogla të rritjes që ndoshta kanë përjetu amortizim falë inflacionit dhe mund të quhet lirisht që është i barabartë apo më i ulët se i vitit 2023”.
“Atë çka e ke ble, apo ke mund ta realizosh në vitin 2023 me 1 milion e gjysmë, në vitin 2024 nuk do të mund ta realizosh me 2 milionë. A nuk qenka ky argumenti më i mirë, që definitivisht nuk ka arsye për eufori”, deklaroi Gërxhaliu.
Në fund, ai tha se është me rëndësi që të kuptohet se stabiliteti politik, social dhe përshpejtimi i proceseve integruese të Republikës së Kosovës arrihen vetëm përmes zhvillimit ekonomik.
“Dhe këtë zhvillim e garanton sektori privat në partneritet dhe mbështetje të institucioneve vendore, që për fat të keq në Kosovë nuk po ndodh”, përfundoi Gërxhaliu.
Por, si e ka planifikuar Qeveria e Kosovës ndarjen buxhetore për vitin e ardhshëm?
Në kuadër të planifikimit bëhet e ditur se 860 milionë euro janë ndarë për infrastrukturë dhe kapacitete të reja energjetike dhe 742 milionë euro për komuna, prej të cilave 635 milionë euro grante nga Qeveria.
Ndërkaq, 370 milionë euro për mbrojtje dhe siguri dhe 370 milionë euro për arsim, përfshirë grantin për komuna.
Po ashtu 95 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë dhe 58 milionë euro për infrastrukturë sportive për lojërat Mesdhetare 2030.
Gjithashtu 29 milionë euro janë ndarë për masa të punësimit dhe 3 milionë euro për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. /Telegrafi/